Barazia Gjinore

Posted on by

Qëllimi kryesor i pasqyrimit të disa të dhënave të ndara sipas gjinisë është analizimi dhe reflektimi mbi këto problematika të shoqërisë, për monitorimin e politikave ndër-sektoriale në kuadër të arritjes së barazisë gjinore.

Niveli Arsimor
Duke analizuar pjesëmarrjen në arsim sipas nivelit, vihet re se fëmijët djem dhe vajza shkojnë në kopsht pa diferenca gjinore, dhe vijon e tillë edhe në arsimin e detyrueshëm. Edhe pjesëmarrja në nivelin e mesëm të studimeve është më e lartë për djemtë se për vajzat, përkatësisht 98,0 dhe 91,1%, ndërsa në nivelin universitar raporti përmbyset, dhe pjesëmarrja është më e lartë për vajzat 67,9% sesa për djemtë, 44,6%.
Pjesëmarrja sipas gjinisë në ciklet arsimore tregon për ekzistencën e diferencave gjinore në nivelet e ndryshme të arsimit. Ka një raport më të lartë të djemve krahasuar me vajzat në arsimin parauniversitar ndërkohë që në arsimin e lartë 59,2% e studentëve të këtij cikli janë vajza.

Peshën kryesore në diplomat e marra sipas fushave të studimit në arsimin e lartë, e zë ajo e shkencave të biznesit, administrimit dhe ligjit për të dyja gjinitë.
Fushat e studimit ku:
– femrat diplomohen më shumë janë:
biznes, administrim dhe ligj, shëndet dhe mirëqënie, shkenca sociale, gazetari dhe informacion dhe arte dhe humanitare.
– djemtë diplomohen më së shumti janë: biznes administrim dhe ligj, inxhinieri, prodhim dhe ndërtim, shkenca sociale, gazetari dhe informacion.
Fusha e studimit, më e dominuar nga vajzat e diplomuara është fusha e shkencave të arsimit në të cilën 80,5% e studentëve të diplomuar janë vajza, ndërsa djemtë dominojnë më shumë në fushën e shërbimeve (72,0% e të diplomuarve janë djem).

Gratë mbi 65 vjeç me arsim bazë janë 79,5% ndërsa burrat 62,3%. Vetëm 4,8% e grave në këtë grupmoshë janë me arsim të lartë, kundrejt 14,1% të burrave. Në popullsinë 25-39 vjeç, gratë me arsim të lartë janë 29,8% ndërsa burrat 21,7%.

Tregu i Punës
Statistikat e tregut të punës sigurojnë një pamje në pozicionin që mbartin burrat dhe gratë në tregun e punës. Ky këndvështrim është shumë i rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe produktivitetin ekonomik të një vendi, si dhe për jetesën e individëve dhe të familjeve të tyre. Të dhënat e këtij seksioni fokusohen në diferencat gjinore dhe ndikimi i tyre në punësimin e burrave dhe grave.

– Pjesëmarrja në forcën e punës
Sipas anketës së forcave të punës, gratë kanë më pak gjasa të marrin pjesë në tregun e punës.
Përsa i përket popullsisë 15-64 vjeç diferenca e pjesëmarrjes së burrave dhe grave në forcat e punës në 5 vitet e fundit ka qenë pothuaj i pandryshuar me një përmirësim të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës. Sipas arsyeve të inaktivitetit, gratë mbesin jashtë forcës së punës kryesisht pasi janë duke përmbushur detyrat shtëpiake ose sepse janë duke ndjekur shkollën. Ndërsa vetëm 2,1% e burrave kanë si arsye të inaktivitetit të tyre përmbushjen e detyrave shtëpiake dhe 53,1 % e tyre janë studentë ose nxënës.
– Punësimi dhe struktura e punësimit
Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 64,3% për burrat dhe 50,3% për gratë e kësaj grupmoshe. Struktura e të punësuarve sipas
statusit të aktivitetit tregon se 42,0% e grave janë të punësuara me pagë, ndërsa 23,0% e tyre janë punëtore pa pagesë në biznesin e familjes. Për burrat e punësuar këto shifra janë përkatësisht 37,0% dhe 12,0%. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e burrave që punojnë janë të vetëpunësuar, 36,0%, ndërsa gratë e vetëpunësuara janë 23,0%. Për gratë dhe burrat e moshës 15-64 vjeç mbizotëron punësimi në sektorin e bujqësisë, por përqindja e burrave në këtë sektor është më e ulët sesa për gratë.
Sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e grave pas sektorit të bujqësisë është ai i administrimit publik, shërbimeve sociale, dhe aktiviteteve dhe shërbimeve të tjera, 22,4%. Për burrat, sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e tyre është sektori i tregtisë, transportit, hotelerisë, shërbimeve të biznesit dhe administrative, me 28,8%.

Të dhëna të përllogaritura mbi numrin e orëve të punës, tregojnë se 34,0% e grave punojnë nën 40 orë në javë kundrejt 24,0 % të burrave. Pjesa më e madhe e grave, 52,0% e tyre, punojnë 40-48 orë në javë përkundrejt 49,0% të burrave. Kur orët e punës rriten mbi 48 orë në javë, përqindja e grave që punon është shumë më e ulët se ajo e burrave, 14,0% për gratë dhe 26,0% për burrat.